Lojtarët Shqiptarë pjesëmarrës në turneun Eng Office Open në Prishtinë
Dërguar më: 31 Korrik 2008
Arkivuar nën: Kampionat | Komento
Nga data 22 deri në 27 korrik në kryeqytetin e Republikës më të re në Evropë u zhvillua turneu Eng Office Open 2008. Ishte një turne i një niveli shumë të lartë në të cilin morën pjesë edhe lojtarë që luajnë rregullisht në turnetë Futures të ATP. Nga Shqipëria morën pjesë 4 lojtarë, ndërkohë që në turne kishte lojtarë nga Kosova, Maqedonia dhe nga diaspora.
Në gjysmëfinalen e parë u ndeshën Shendrit Deari, një lojtar Shqiptar nga Gostivari që luan për Maqedoninë në Kupën Davis dhe që vitin e kaluar arriti deri në vendin e 1456 të renditjes ATP dhe Genci Çakçiri, kampion i Shqipërisë. Superioriteti i lojtarit profesionist ishte i qartë dhe ai fitoi me rezultatin 6-3 6-0. Në gjysmëfinalen e dytë u ndeshën Kampioni i Kosovës dhe fitues i shumë turneve në Kosovë në 3 vitet e fundit, Behar Kurteshi dhe Kujtim Islami i cili luan turne Futures vazhdimisht dhe që ka lindur dhe banon në Zvicër. Kurteshi bëri një lojë dinjitoze megjithatë edhe në këtë rast ishte lojtari profesionist Islami që tregoi eksperiencën e tij duke fituar 6-2 6-4.
Ashtu siç pritej finalja ishte e një niveli shumë të lartë me pike të bukura nga të dy lojtarët. Deari ishte më konkret në pikët vendimtare dhe fitoi me rezultatin 6-2 6-3 duke fituar edicionin e parë të turneut Eng Office Open dhe 2000 Euro të vendit të parë, një çmim që do të ishte i konsiderueshëm edhe për turnetë Futures, fituesi i të cilëve merr pak më shumë se 1000$.
Një falënderim shkon për Federatën Kosovare për mikpritjen që i bëri ekipit tonë dhe për organizatorin e turneut Arben Islamaj apo TennisNjeri siç njihet në arenën e tenisit kosovar.
Në të majtë Kujtim Islami, në të djathtë Shendrit Deari dhe midis tyre presidenti i Eng Office z. Mejdi Rexhepi
Turneu i Hapur “Perlat Voshtina”
Dërguar më: 31 Korrik 2008
Arkivuar nën: Kampionat, Tenis shqiptar | Komento
Në fillim të muajit qershor në fushat e Klubit të tenisit “Tirana” u zhvillua Turneu i Hapur “Perlat Voshtina” me pjesëmarrjen e lojtarëve Shqiptare si dhe disa lojtarëve nga Kosova. Ky ishte edicioni i gjashtë i këtij turneu që është ndër më të rëndësishmit në kalendarin e Federatës Shqiptare të Tenisit. Në gjysmëfinalen e parë u ndeshën kampioni në fuqi i këtij Turneu, Genci Çakçiri i klubit Tirana kundër Penar Musaraj i ekipit Kartografike Bulls. Takimi përfundoi me rezultatin 6-2 6-1 në favor të Çakçirit. Më e ekuilibruar ishte gjysmëfinalja e dytë midis Nr. 2 të Kosovës, Granit Bajraliu dhe Egnat Ngjeqarit të klubit Tirana. Ky takim përfundoi 7-5 7-6 në favor të lojtarit Kosovar.
Një takim i baraspeshuar ishte dhe finalja e këtij turneu. Pas një takimi që zgjati mbi 2 orë Çakçiri arriti të mbrojë titullin duke fituar 7-5 7-5 ndaj Bajraliut duke anuluar edhe 3 set point të këtij të fundit në setin e parë.
Turneu i radhes per të rritur do të jetë Tirana Open në muajin Shtator
Turnetë e Pranverës për moshat nën-14 dhe nën-16 vjeç
Dërguar më: 8 Prill 2008
Arkivuar nën: Kampionat | 2 Komente
Në datat 1 deri në 8 Prill në fushat e Klubit të Tenisit “Tirana” u zhvilluan turnetë e Pranverës për grupmoshat nën 14 dhe nën 16 vjeç.
Në turneun e 14-vjeçarëve u ndeshën në finale 2 lojtarë nga Durrësi, Julio Isufi i klubit “Durrësi” dhe Marjo Trupja i klubit “Teuta”. Loja u dominua nga Isufi i cili fitoi me rezultatin 6-1 6-1 falë një loje të saktë duke pritur momentet e përshtatshme për të sulmuar, ndërsa Trupja për asnjë moment nuk gjeti lojën e tij më të mirë. Isufi, i cili vitin e kaluar e mbylli në vendin e parë për moshat nën 12 vjeç e nis më së miri sezonin 2008 në grupmoshën e re.
Ndërsa në turneun e nën 16 vjeçarëve u ndeshën dy lojtarë të Klubit të Tenisit “Tirana”, Flavio Deçe dhe Martin Hysenbegasi. Kjo finale ishte më e ekuilibruar dhe u desh seti final për të përcaktuar fituesin. Pas një loje që zgjati gati 2 orë e 30 minuta Deçe arriti të fitoi me rezultatin 6-3 5-7 7-5. Loja nisi mirë për Deçen duke fituar setin e parë 6-3 pa qenë i rrezikuar seriozisht. Në setin e dytë Hysenbegasi ndryshoi taktikën e lojës duke rrezikuar më pak dhe arriti ta fitoi me rezultatin 7-5. Në setin e tretë u duk sikur fati i lojës kishte ndryshuar tërësisht me Hysenbegasin që kryesoi 3-1 dhe me një mundësi për të shkuar në 4-1. Por Deçe arriti të përmbysë rezultatin duke fituar setin final 7-5 dhe duke marrë titullin e parë të sezonit
Për lojtarët e tjerë do të ketë shanse për të fituar tituj në Kampionatet Kombëtarë të këtyre grupmoshave.
Mirësevini në Faqen e Tenisit Shqiptar
Dërguar më: 2 Prill 2008
Arkivuar nën: Pa kategori | 4 Komente
Një përshëndetje të gjithëve
Në këtë website do të keni mundësinë të njiheni me gjithçka që i përket tenisit në Shqipëri. Kryesisht do t’i dedikohet aktiviteteve brenda vendit por edhe veprimtarive të tjera të organizuara nga Federata Shqiptare e Tenisit. Ju ftojmë të na kontaktoni nëse dëshironi të dini diçka më shumë.
