Turnetë e Pranverës për moshat nën-14 dhe nën-16 vjeç
Në datat 1 deri në 8 Prill në fushat e Klubit të Tenisit “Tirana” u zhvilluan turnetë e Pranverës për grupmoshat nën 14 dhe nën 16 vjeç.
Në turneun e 14-vjeçarëve u ndeshën në finale 2 lojtarë nga Durrësi, Julio Isufi i klubit “Durrësi” dhe Marjo Trupja i klubit “Teuta”. Loja u dominua nga Isufi i cili fitoi me rezultatin 6-1 6-1 falë një loje të saktë duke pritur momentet e përshtatshme për të sulmuar, ndërsa Trupja për asnjë moment nuk gjeti lojën e tij më të mirë. Isufi, i cili vitin e kaluar e mbylli në vendin e parë për moshat nën 12 vjeç e nis më së miri sezonin 2008 në grupmoshën e re.
Ndërsa në turneun e nën 16 vjeçarëve u ndeshën dy lojtarë të Klubit të Tenisit “Tirana”, Flavio Deçe dhe Martin Hysenbegasi. Kjo finale ishte më e ekuilibruar dhe u desh seti final për të përcaktuar fituesin. Pas një loje që zgjati gati 2 orë e 30 minuta Deçe arriti të fitoi me rezultatin 6-3 5-7 7-5. Loja nisi mirë për Deçen duke fituar setin e parë 6-3 pa qenë i rrezikuar seriozisht. Në setin e dytë Hysenbegasi ndryshoi taktikën e lojës duke rrezikuar më pak dhe arriti ta fitoi me rezultatin 7-5. Në setin e tretë u duk sikur fati i lojës kishte ndryshuar tërësisht me Hysenbegasin që kryesoi 3-1 dhe me një mundësi për të shkuar në 4-1. Por Deçe arriti të përmbysë rezultatin duke fituar setin final 7-5 dhe duke marrë titullin e parë të sezonit
Për lojtarët e tjerë do të ketë shanse për të fituar tituj në Kampionatet Kombëtarë të këtyre grupmoshave.
Mirësevini në Faqen e Tenisit Shqiptar
Një përshëndetje të gjithëve
Në këtë website do të keni mundësinë të njiheni me gjithçka që i përket tenisit në Shqipëri. Kryesisht do t’i dedikohet aktiviteteve brenda vendit por edhe veprimtarive të tjera të organizuara nga Federata Shqiptare e Tenisit. Ju ftojmë të na kontaktoni nëse dëshironi të dini diçka më shumë.