Lojtarët Shqiptarë pjesëmarrës në turneun Eng Office Open në Prishtinë

Nga data 22 deri në 27 korrik në kryeqytetin e Republikës më të re në Evropë u zhvillua turneu Eng Office Open 2008. Ishte një turne i një niveli shumë të lartë në të cilin morën pjesë edhe lojtarë që luajnë rregullisht në turnetë Futures të ATP. Nga Shqipëria morën pjesë 4 lojtarë, ndërkohë që në turne kishte lojtarë nga Kosova, Maqedonia dhe nga diaspora.

Në gjysmëfinalen e parë u ndeshën Shendrit Deari, një lojtar Shqiptar nga Gostivari që luan për Maqedoninë në Kupën Davis dhe që vitin e kaluar arriti deri në vendin e 1456 të renditjes ATP dhe Genci Çakçiri, kampion i Shqipërisë. Superioriteti i lojtarit profesionist ishte i qartë dhe ai fitoi me rezultatin 6-3 6-0. Në gjysmëfinalen e dytë u ndeshën Kampioni i Kosovës dhe fitues i shumë turneve në Kosovë në 3 vitet e fundit, Behar Kurteshi dhe Kujtim Bajrami i cili luan turne Futures vazhdimisht dhe që ka lindur dhe banon në Zvicër. Kurteshi bëri një lojë dinjitoze megjithatë edhe në këtë rast ishte lojtari profesionist Bajrami që tregoi eksperiencën e tij duke fituar 6-2 6-4.

Ashtu siç pritej finalja ishte e një niveli shumë të lartë me pike të bukura nga të dy lojtarët. Deari ishte më konkret në pikët vendimtare dhe fitoi me rezultatin 6-2 6-3 duke fituar edicionin e parë të turneut Eng Office Open dhe 2000 Euro të vendit të parë, një çmim që do të ishte i konsiderueshëm edhe për turnetë Futures, fituesi i të cilëve merr pak më shumë se 1000$.

Një falënderim shkon për Federatën Kosovare për mikpritjen që i bëri ekipit tonë dhe për organizatorin e turneut Arben Islamaj apo TennisNjeri siç njihet në arenën e tenisit kosovar.

Finalistët e Eng Office Open 2008

Në të majtë Kujtim Bajrami, në të djathtë Shendrit Deari dhe midis tyre presidenti i Eng Office z. Mejdi Rexhepi

Turneu i Hapur “Perlat Voshtina”

Në fillim të muajit qershor në fushat e Klubit të tenisit “Tirana” u zhvillua Turneu i Hapur “Perlat Voshtina” me pjesëmarrjen e lojtarëve Shqiptare si dhe disa lojtarëve nga Kosova. Ky ishte edicioni i gjashtë i këtij turneu që është ndër më të rëndësishmit në kalendarin e Federatës Shqiptare të Tenisit. Në gjysmëfinalen e parë u ndeshën kampioni në fuqi i këtij Turneu, Genci Çakçiri i klubit Tirana kundër Penar Musaraj i ekipit Kartografike Bulls. Takimi përfundoi me rezultatin 6-2 6-1 në favor të Çakçirit. Më e ekuilibruar ishte gjysmëfinalja e dytë midis Nr. 2 të Kosovës, Granit Bajraliu dhe Egnat Ngjeqarit të klubit Tirana. Ky takim përfundoi 7-5 7-6 në favor të lojtarit Kosovar.

Një takim i baraspeshuar ishte dhe finalja e këtij turneu. Pas një takimi që zgjati mbi 2 orë Çakçiri arriti të mbrojë titullin duke fituar 7-5 7-5 ndaj Bajraliut duke anuluar edhe 3 set point të këtij të fundit në setin e parë.

Turneu i radhes per të rritur do të jetë Tirana Open në muajin Shtator